Reperit të njohur Rigels Rajku i njohur ndryshe me emrin e artit Noizy në orët e para të mëngjesit të sotëm iu vendos tritol në ambientet e lokalit të tij.

Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale, ndërsa sipas policisë ngjarja ka ndodhur në orën 04:24 minuta në një butik të marrë me qira që rezulton në emër të babait të Noizyt.

Në dëshminë e tij, Noizy ka thënë se ka probleme vetëm me reperin Cllevio, me të cilin bëri sherr pardje, ku në një video u shfaq duke e goditur me grushte para lokalit të tij. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, teksa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori është drejt identifikimit.

PanoramaPlus ka kontaktuar me kunatin e reperit, Ermir Gjyzeli i cili është dhe një ndër personat më të afërt të këngëtarit edhe në biznes. Ai ka folur ekskulzivisht në lidhje me konfliktin midis Noizyt dhe Cllevos. I pyetur se si është gjendja në shtëpi dhe nëse ndihen të kërcënuar pas vënies së tritolit ai tha se gjendja është shumë okej, të gjithë janë shumë të qetë dhe nuk ndihen aspak të kërcënuar.

“ Jo nuk kemi asnjë shqetësim, të gjithë jemi shumë mirë. Nuk ndihemi të kërcënuar”– u shpreh ai.

Në lidhje me vazhdimin e konfliktit Ermiri rrëfeu se nga ana e tyre kjo gjë është mbyllur dhe tashmë ia kanë lënë në dorë shtetit dhe do të jenë ata të cilët do të merren me situatën.

“Çdo gjë është në dorë të shtetit, do të merren ata me çdo gjë , ne nuk kemi më punë”, deklaroi Gjyzeli.

Përsa i përket gjendjes së Noizyt, Ermiri tregoi se ai është shumë mirë:

“Noizy është shumë mirë, nuk ndihet aspak i shqetësuar”.

Rikujtojmë se Cllevio, shoku i reperit tjetër Stresi, mbërriti në ambientet e lokalit të reperit se bashku me disa miq të tij me makina. Pas debatit verbal, Noziy nis ta shqelmojë të riun dhe në momentin kur ky i fundit shpëton nga duart e reperit, futet në një prej automjeteve dhe largohet.

Por Rigels Rajku e ndjek pas dhe nis ta godasë edhe tek dera e makinës, përpara se Kleviol Ahmeti të “arratiset”. Ndërkohë në rrugë ndodhet edhe një mik i Cllevio, i cili po ashtu dhunohet nga reperi dhe miqtë e tij. Në video shihen momente kur Noizy e godet me grushte, megjithatë pas disa sekondash e lë të lirë. Po ashtu edhe miku i Cllevio, pasi shpëton nga duart e reperit largohet me makinë.

Sherri mes tyre ka nisur pas përplasjeve verbale në rrjetet sociale, ky dy reperët s’kanë kursyer ofendimet ndaj njëri-tjetrit./Panorama Plus