Thonë se “ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”, e kjo duket se i shkon më së miri përshtat kalvarit të gjatë të telasheve që i është dashur të kalojë Ferland Mendy për t’u bërë futbollisti që sot e njeh e gjithë bota, pjesë e Real Madrid dhe kampion i Europës me fanellën e Los Blancos.Francezi ka kaluar vështirësi të jashtëzakonshme teksa i zbulon ato për herë të parë në një intervistë për websajtin e UEFA-s ku rikujton ditët e tmerrshme që mendonte se do të mbetej në karrige me rrota për të gjithë jetën. Ishte në moshën shtatë vjeçare kur për herë të parë shfaqi talentin e tij në futboll, ndërsa u bë pjesë e Ecquevilly club një akademi për të rinjtë. I shpejtë, i fortë fizikisht dhe me teknikë të lartë, Mendy rritet shpejt dhe emri i tij nis të qarkullojë edhe në klubet më të mira francize.

Ishte PSG që vendosi ta marrë në gjirin e saj dhe teksa shkëlqen me kryeqytetasit, i shkon shumë pranë edhe debutimit me skuadrën e parë. Nuk e arriti sepse iu desh të ndalej, shenja të parë të dhimbjes në ije u shfaqën dhe dita-ditës, shqetësimi bëhej edhe më i madh. Mjekët i bëjnë të ditur se vuan nga artriti në ije dhe se duhet t’i nënshtrohet urgjentisht ndërhyrjes kirurgjikale. Por, nuk ishte e thënë të përfundonin këtu telashet për Mendy i cili në atë kohë vetëm 14-vjeçar, njoftohet se këmba i është infektuar pas operacionit dhe se për t’i shpëtuar një rreziku më të lartë mund t’i duhet ta presë atë.“Pas operacionit doktori më tha se nuk do të mund të luaja sërish futboll, por më e keqja ishte se ndoshta mund të humbisja edhe njërën këmbë”, tregon Mendy. Megjithatë, fati më në fund “luan” në anën e tij dhe Mendy i shpëton fundit tragjik, edhe pse rruga drejt ringjitjes është e vështirë.

“Qëndrova për shumë kohë në një karrige me rrota, më vonë u desh të ecja me paterica. Më dukej sikur po mësoja të ecja nga fillimi, kur ngrihesha nga karrigia me rrota rrëzohesha menjëherë në tokë. Këmbët nuk kishin fuqi”, shprehet Mendy. Ndërkohë, lojtari e mbyll me PSG që nga ana e saj përqëndrohet te nënshkrimi i yjeve botërorë. Gjithsesi, Mendy kishte besimin se do të rikthehej sërish të bënte futbolistin.“Iu thashë të gjithëve se do të rikthehesha, mendoja gjithë kohën për të luajtur futboll. Njerëzit besonin se diçka e tillë ishte e pamundur, por mësova të ecja sërish dhe për një vit e gjysmë luaja me dhimbje në ije”.Të gjente një skuadër në të tilla kushte nuk ishte e lehtë, megjithatë Mantois në Serinë C franceze i jep shansin dhe Mendy aq i duhej. Nisi sërish të kishte performanca të mira dhe pas një viti te Mantois, vjen firma me Le Havre. Aty, Mendy bashkohet me yje të tjerë në fillimet e tyre si Mahrez apo Payet.

Me Le Havre, Mendy debuton mes profesionistëve dhe nga ai çast karriera e Mendy shkon vetëm për lart. Pas dy vitesh, transferohet te Lyon dhe më pas Real Madrid. Los Blancos shpenzojnë 50 milionë euro për futbollistin që nuk u dorëzua kurrë dhe gjithnjë besoi te ëndrra e tij.Me madrilenët, Ferland Mendy bëhet kampion i Europës teksa Reali mposhti në finale të Champions League, Liverpool me një gol të Vinicius Junior. 27-vjeçari luajti për 90-minuta dhe në fund ngriti lart trofeun me “veshë të mëdhenj”. Mendy ia doli dhe falë durimit të treguar edhe në momentet më të errëta ndërsa tashmë gëzon një karrierë të vërtetë dhe të mbushur me trofetë më prestigjioz.