Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhevat Sveçla ka marrë së fundmi dhuratë një orë “Rolex” nga kryeministri dhe njëherazi dhe ministri i Punëve të Brendshme të Katarit.

Gjatë një vizite në Katar ai i dhuroi kryeministrit të Katarit një hartë të Kosovës e punuar në filigran. Pas përfundimit të takimit, protokolli i kryeministrit i dorëzoi ministrit një dhuratë nga kryeministri i Katarit, një orë “Rolex” me vlerë 20 mijë euro.

Menjëherë sapo ai e pa dhuratën e shtrenjtë që kishte marrë, i shkroi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nëse kishte mundësi që ta kthente dhuratën.

“Në një hulumtim sipërfaqësor që unë kam bërë, kam kuptuar që është diku rreth 20 mijë euro dhe menjëherë i kam shkruar eprorit tim kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me idenë që potencialisht edhe ta kthej”, tha Sveçla.

Ministri deklaroi më pas se me kthimin e dhuratës kishte rrezik që marredhëniet mes vendeve të prisheshin, kështu që vendosi që të mos e kthente orën luksoze, por jo për ta mbajtur për vete.

 “Por, pas analizës dhe pas shqyrtimit të  këtij skenari doli që raportet mes Katarit dhe Kosovës mund të lëndoheshin dhe unë e kam njoftuar kryeministrin se dhuratën do ta marr, por jo për vete personalisht. Ora ndodhet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe e kam deklaruar në doganë. Pas rehatimit unë e hapa dhuratën dhe e pashë që është një dhuratë e shtrenjtë që siç duket për këto vende nuk është e jashtëzakonshme, por për rrethanat e tona unë besoj që është jashtëzakonisht e shtrenjtë,” tha ministri.