Përmbytja e rrugëve të Durrësit është bërë shkak për fikjen e shumë automjeteve në mes të rrugës.
Operatori Denis Simaku sjell momentin kur një shofereje femër i vijnë në ndihmë efektivët e MSHZ-së Durrës.
Nën reshjet e dendura të shiut dhe nivelin e ujit që ka arritur rreth 30 cm në rrugën e re pranë Tregut Industrial, dy zjarrfikësit shtyjnë mjetin tip Ford Fokus derisa e nxjerrin në anë të rrugës.
“DurrësLajm” mëson se qytetarja është shoqëruar për në shtëpi nga efektivët e MSHZ-së, të cilët gjatë këtyre orëve të vështira u kanë ardhur në ndihmë pa ndalur një sërë mjetesh që pësuan difekte.
Prej disa orësh, Durrësi ka regjistruar reshje të dendura shiu, të cilat janë shoqëruar me përmbytjen e shumë lagjeve dhe rrugëve kryesore e dytësore.
Në shumë zona, uji ka kaluar edhe nivelin e trotuarit, duke u shndërruar në problem për bizneset.
Në akset më problematike ka qenë mjaft i vështirë qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.





