Moti i keq që ka përfshirë qytetin e Durrësit prej të dielës që lamë pas, ka bërë që mëngjesin e sotëm shëtitorja “Taulantia” të ishtë nën pushtetin e leshterikëve.

Krahas reshjeve të shiut moti është përkeqësuar me stuhi të forta ere dhe fuqia e dallgëve të detit ka nxjerrë në zonën e “Sfinksit” grumbujt të mëdhenj leshterikësh.

Më 27 dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme Detare paralajmëroi që moti i përkeqësuar do të shtrihej në gjithë bregdetin tonë deri më datë 30.

“Në datën 27-30 dhjetor 2020 moti do të përkeqësohet. Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug dhe jug -perendim me shpejtësi që varion nga 10-20m/s dhe forca e detit do të variojë nga 5-8 shkalla bufort, kurse lartësia e dallgës do të jetë 1.50 -2.50 m.Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.”, thuhej në njoftim.

Kujtojmë që një ditë më parë u anulluan tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas për datat 28 dhe 29 dhjetor, për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar.