Rigels Rajku, i njohur nga të gjithë si “Noizy”, ka qenë qendra e vëmendjes për ditë me radhë. Shkak për këtë u bë sherri në mes të Durrësit me reperin Kleviol Ahmenti. Mirëpo pas qetësimit të situatës në ditët në vijim, reperi me anë të postimeve të tij deshi të tregonte se gjithçka ka mbetur pas dhe se është i fokusuar te projektet e tij të reja.

Dy javë më parë, Noizy ka lajmëruar se do të zhvillojë koncertin më të madh të “hip hop”-it në Shqipëri në muajin gusht. Do të jetë një koncert madhështor, ku përveç reperit do të performojnë edhe shumë artistë të njohur, miq të tij. Emra të tillë si Loredana, Yll Limani, Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, Dhurata Dora, Ghali, Buta, Lyrical Son, Mc Kresha e shumë të tjerë priten të ndezin “Air Albania” më 14 gusht. Ju kujtojmë që në lançimin e këtij projekti, Noizy tregoi se koncerti do të ketë një kapacitet shumë të madh, si dhe artistë specialë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

“Ju premtoj që do të jetë koncerti më i madh hip hop në Shqipëri, s’ia keni idenë se farë përmasash do të ketë ky koncert, si nga kapaciteti i njerëzve deri te të ftuarit e mi specialë, shqiptarë dhe internacionalë, a jeni gati për në gusht?”, shkroi reperi në një postim në “Instagram” disa kohë më parë. Por ajo që na bie në sy te ky koncert është pjesëmarrja e Ledrit.

Dy reperat vite më parë janë përfshirë në një sherr të ashpër. Të gjithë e mbajmë mend vite më parë, kur Noizy ka ndryshuar vargjet e këngës duke iu drejtuar Ledri Vulës

“Nusen tane ta ka… krejt estrada, yeh yeh yeh, a po t’dhem tash o ledri gaga, ha ha ha” e duke ndezur kështu sërish një konflikt të mundshëm mes tij dhe Ledrit. Kjo performancë vinte vetëm pak kohë pas Ledri publikoi këngën e re së bashku me Dafina Zeqirin “Got ur back”. Noizy këndon ashpër, duke fyer rëndë Ledrin, që në atë kohë ishte në lidhje më Dafina Zeqirin, duke nxehur akoma më shumë atmosferën në club.

Noizy dhe “Babastars” në 2012-ën u përfshinë në një konflikt, duke u rrahur, në aeroportin e Zyrihut. Pas kësaj ngjarjeje, duket se u ulën gjakrat mes dy personazheve. Vite më pas, Noizy bëri hapa pas, duke u shprehur se Ledri ishte djalë i mirë. “Ledri ishte në grupin e gabuar. Ai është djalë i mirë”, u shpreh Noizy. I pyetur se është parë duke qëndruar si shokë me Dafina Zeqirin, pasi e ka ofenduar në diss-a të ndryshëm, tha se ai me të asgjë nuk pati dhe se ajo është vajzë e ai nuk hyn në konflikte me vajza.

Por duket se tashmë gjithçka i përket së shkuarës dhe dy reperat jo vetëm që kanë bërë paqe, por edhe do të bashkëpunojnë. Reperi kosovar ka pranuar ftesën për të interpretuar krah Noizyt në koncertin që ai do të mbajë. Mbetet për t’u parë nëse mes dy artistëve të suksesshëm do të ketë edhe një bashkëpunim në muzikë./Panoramaplus