Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në konferencën me titull “ Integriteti dhe Besimi në zgjedhje” tha se “Janë rreth 80 parti që nuk kanë marrë pjesë në të paktën në 4 zgjedhjet e fundit. Këto edhe shumë të tjera që nuk kanë përfituar fonde publike dhe nuk ka gjurmë të aktivitetit të tyre politik, pra duket se këto parti nuk ekzistojnë”.

Celibashi vuri theksin dhe te kontrolli i financave të partive dhe kërkoi dhe ndryshim në ligj.

KQZ propozon që të kontrollohen fillimisht partitë që marrin pjesë fillimisht në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Në vlerësimin tonë ligji duhet të ndryshojë për të vendosur prioritetin në lidhje me kontrollin financiar nga KQZ. Partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit duhet ti nënshtrohen domosdoshmërisht kontrollit dhe verifikimit financiar”

Në kushtet kur kapacitetet e KQZ, asnjëherë nuk do të jenë të tilla që në mënyrë kapilare të bëhen mbikqyrje dhe kontrolle të 131 partive, ligji duhet të parashikojë që ky institucion t’i fokusojë resurset e veta njerëzore financiare në partitë që marrin pjesë në zgjedhje më së pari dhe më pas të tjerat. Për të tjerat mund të bëhet me sistem shorti.

Përsa i përket KQZ-së, në kuadër të mbikëqyrjes së kontrollit dhe transparencës së financimeve politike, Celibashi tha se po punohet për të përmirësuar në çdo aspekt dhe në çdo pikëpamje metodologjike gjithë procesin teknik të punës që lidhet me kontrollin dhe transparencën e financimit  të partive politike.