Presidenti Ilir Meta, në një intervistë televizive tha se po i afrohet fundit të mandatit të tij, duke theksuar se ndihet krenar për përmbushjen e detyrës në respekt të betimit mbi Kushtetutë.
Meta pohoi se ai qëndroi premtimit, për të ruajtur Presidencës si një kështjellë të pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar deri më 24 korrik 2022.
INTERVISTA
Pyetje: Një Presidencë, e cila ka qenë e ngjeshur, ka qenë më gjëra interesante, me përpjekje me luftë. Por, fundi i Ilir Metës, nga ky institucion si të duket?
Presidenti Meta: Jemi në përmbyllje të një Presidence 5 vjeçare, apo më saktë mandatit të parë të Ilir Metës si President i Republikës.
Gjithçka mund të thuhet se ka shkuar sipas parashikimeve të mia dhe betimit tim mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 5 vite më parë, në raport me përmbushjen e këtij detyrimi shumë të lart kushtetues. Kam thënë kur jam betuar, që do të mbroj interesin kombëtar, dhe këtë e kam bërë në të gjitha rastet, edhe në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm për të cenuar interesin kombëtar, ose për të mbyllur sytë përpara cenimeve të tilla, duke u bërë bashkëfajtor në heshtje. Kam mbrojtur vetëm interesin publik dhe kombëtar. Kjo është shumë evidente dhe ajo që është me e rëndësishme, në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo Qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, që nuk është ndonjë sekret për asnjë, që është nën ndikimin e mazhorancës aktuale, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca, që ka shkëlqyer në drejtim të kushtetutshmërisë dhe të respektimit të saj me përkushtim maksimal.
Nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi. Kjo Presidencë ka pasur më pak kompetenca se çdo Presidencë tjetër e Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq, opozita ndërmori një hap vetëvrasës, jo thjeshtë për të, se për një pjesë të mirë të opozitës dhe për lidershipin e saj ishte një hap përfitues. Por, për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorance prej 122 kartonësh.





