Këngëtari i U2, Bono ka zbuluar se ka një vëlla nga ana e babait të tij, ekzistencën e të cilit nuk e dinte për dekada.

“Kam një vëlla tjetër, të cilin e dua dhe e admiroj. Nuk e dija që e kisha”, rrëfeu ai për Desert Island Discs të BBC Radio 4.

Këngëtari tregoi se zbuloi që kishte një gjysmë-vëlla në vitin 2000. Bono tha se nëna e tij Iris, e cila u nda nga jeta në 1974, nuk e dinte që bashkëshorti i saj kishte një fëmijë me një grua tjetër.

“Babai kishte miqësi të ngushtë me këtë grua të mrekullueshme, e cila është pjesë e familjes, dhe patën një fëmijë së bashku. E gjitha u mbajt e fshehtë.”

Pasi Bono e zbuloi, ai foli me babain e tij Bob përpara se ai të ndërronte jetë në 2001.

“E pyeta, nëse e kishte dashur mamanë time dhe më tha ‘po’,”– kujton ai. “Dhe unë thashë, si mund të ndodhte kjo, dhe ai tha: “Mundet” dhe se po përpiqej ta rregullonte. Ai nuk kërkoi falje, thjesht po thoshte që këto janë faktet. Dhe unë jam në rregull me këtë.”

I pyetur nëse e dinte nëna e tij, Bono u përgjigj: “Jo, askush nuk e dinte. Mesa duket një pjesë e mendjes dhe zemrës së babait tim ishte diku tjetër.”

Këngëtari ka edhe një vëlla të madh të quajtur Norman, ndërsa nëna e tij ndërroi jetë nga aneurizmi i trurit kur ai ishte 14 vjeç.

Bono e përshkroi marrëdhënien e tij me të atin si “të ndërlikuar”, duke shtuar: “Jam i sigurt se kam qenë i vështirë për t’u përballur. Ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte, më pas e kuptova se po përballej me gjëra të tjera”.

Bono, i cili planifikon të nxjerrë një autobiografi këtë vit, u bë i famshëm në fillim të viteve 1980 dhe u bë një nga yjet më të mëdhenj të rock-ut në planet.