Nga Bujar Qesja
28 qershori 2022! Kam kënaqësinë të uroj me shumë sinqeritet Besnik Çelën, për përvjetorin e 69-të të lindjes. Është basketbollist shumë i dëgjuar, aq sa tifozëria durrsake në vitet 70-të e mbante mbi supe, kur “Lokomotiva” dërrmonte kundërshtarët. Nuk do të flasë gjatë për të, pasi njihet. Këto rradhë kanë vetëm peshën e urimit.
Është një djalë e kaluar djalit, ky Besniku i Çelëve. Nga Skrapari me origjinë, por i akomoduar në Durrës më shumë se durrsakët. Nuk do ta besoja për popullaritetin që ka, nëse s’do ta prekja vetë këtë dukuri. Kemi bërë ecje për disa ditë me këtë famoz të basketbollit dhe njerëzia e ndalnin dhe e respektonin. I thosha me shaka:-Kemi dalë për ecje, apo për sfilatë?
Qeshnim me të madhe. Sa i gjindshëm që është! Sa i sinqertë që është! Sa njerëzor që është! Sa punëtor që është! Dhe gjithnjë buzëqesh dhe bën shaka, duke të krijuar atmosferë të shkëlqyer shoqërore kur qendron me të.
Ai sot ndodhet jashtë shtetit. Por urimi i një shoku dhe i një miku të thekur, sigurisht që e gëzon kudo që të jetë. Sa besnik është ky Besnik Çela! Dhe kjo besnikëri i ka shtuar për shtat, që ditën që u bekua me këtë emër. Rrallë e thërrasin në emër, pasi mbiemri i tij është shumë popullor.
-E Çele, ç’kemi! Është kontakti i parë i masës me të.
Dhe ai buzëqesh. Nuk di të mërzitet. E kjo është cilësi e mirë për të dhe për ne që e shoqërojmë.
Po me 28 qershor 2022 feston ditëlindjen edhe Alma, bashkshortia e Besnikut. Është vajza e Milto Avramit, vëllai i mikut tonë të paharruar Kosta Vramit. Basketbolisti i njohur durrsak Mitrush Çumashi, ështa daja Almës. Po kështu edhe Nas Çumashi, tjetër sportist i topkoshit durrsak, është daja i Almës. Së bashku me Besnik Çelën, gati e rrethonte Almën një ekip basketbollistësh.
Një jetë e bukur Alma, në krah të Besnikut. Një jetë që ia vlen të jetohet. Vajza e këtij çifti të njohur, ka lidhur jetën me Ergys Agasin, djalin e mikut tonë të madh Bardhyl Agasit. Krushqia rritet dhe forcohet me durrsakë, me miq dhe shokë që përbëjnë shoqërinë tonë tradicionale.
Besnik Çela! Alma Çela (Avrami)! Që të dy kanë përvjetorin e lindjes. Një rast unikal, në mos shumë, shumë i rrallë i një çifti të lindur në një ditë. Shenjë kjo si rastësore, por që përligj lidhjen e tyre të shtrenjtë dhe të bukur.
Si njeri i afërt me ju, duke iu bashkuar kënaqësisë time me këtë rast edhe ajo e bashkshortes Kostandinës, ju urojmë me gjithë zemër jetë të lumtur, me shumë surpriza të këndëshme, duke gëzuar fëmijët tuaj, nipërit tuaj, krushqinë tuaj, por edhe ne miqtë që ju duam pa masë.
I entuziazmuar nga miqësia me ju
Durrës: 28 qershor 2022





