Nga BUJAR QESJA

Me nismën e Igli Gogës, prej vitesh festohet në Durrës dita e basketbollit durrsak. Është marrë shkas me këtë rast, nga dita e lindjes së kalorësit të basketbollit, madhështorit Dhimitraq Goga. Lindja e tij është 29 qershor 1925.

Nuk është thjesht ndjesia e fisit në këtë rast, se sa e përkujtimit të njërit prej sporteve më popullore dhe më me traditë në Durrës. Dhe ky basketboll ka shtyllat e tij, ka themeluesit, ka ato që kanë bërë historinë moderne të zhvillimit.

Ka shumë kolosë të sportit të koshit Durrësi, ku nga më të shndritshmit mbetet Dhimitraq Goga. Dhe për të mos e lënë vetëm atë, detyrimi historik është edhe për një tjetër madhështor, teoricien, por edhe praktik Bashkim Taga. E me rradhë kujtojmë Niko Hercekun, Spiro Urumin, Ramazan Njalën, Vehap Berberollin, Napolon Llallën, Naun Llazon, Gjon Lulin, Xhoxh Nushin, Omir Vokopolën, Salvator Sotirin, Ilia Dollanin, vëllezërit Hyka Fehmiun dhe Fatosin dhe më të rinjtë Tush Çumashin, Josif Xhufkën, Luigj Kalebotën, Niko Profkolën, Theofan Muzinën, Ibrahim Kurtbegovin, Nysret Rekën, Pali Jorgonin , Vladimir Agarajin, Spiro Hotovën, Sokol Hysenin, Sabri Rustemin, Besnik Çelën, Spartak Jahon, Leonard Janin, e shumë e shumë të tjerë që është e pamundur të veçohen. I tërë Durrësi luante basketboll. I tërë Durrësi e ndiqte këtë sport magjik.

Dhe shigjetimi do të bie tek njëri nga themeluesit e tij, Dhimitraq Goga. Sot ti i nderuar Dhimitraq, të ka shoqëruar tërë kohën një dashuri e pakufishme për Durrësin tënd, ke ditëlindjen. Mbush plot 97 vjeç. Ndodhesh në parajsën tënde prej 9 vitesh, por ne të trajtojmë të gjallë dhe kështu do të trajtojmë sa të ketë frymë ky brezi ynë, që të njeh dhe të ka ndjekur nga afër.

Ti je me ne edhe në festën e sotme. Shumë na mungojnë. Por nuk jemi edhe pak. Dita e lindjes tënde, është kthyer në ditën e basketbollit durrsak. Gëzojnë së bashku me ne edhe emra të njohur të basketbollit shqiptar, ku ti luajte dhe bashkëpunove.

Igli Goga po ti bën nderet. Po edhe ne po na i bën. Kështu së bashku nderojmë njëri tjetrin. Nderojmë dhe kujtojmë traditat e shkëlqyera të basketbollit durrsak, breza të tërë që luajtën dhe ia mbajtën të ngritur kryet kësaj tradite. Në këtë 29 qershor 2022, jemi mbledhur buzë pishinës moderne, që është ndërtuar pranë pallatit të sportit që mban emrin tënd. Do të dëjgojmë këngën “Të falem i bukuri Durrës”, kënduar nga Qemal Kërtusha, që ti e doja me fuqinë e shpirtit.

Po i ilustroj këto rradhë me një super foto, të gjallë dhe kurdoherë të “pa ndryshkur”. Janë disa nga ata të themelit ë basketbollit. Janë ajka sportive, por edhe qytetare e jona. Sa herë që e shikojmë, kujtimet na rrjedhin si lotët. Kujtime të bukura, me shumë emocion dhe ngarkesë shpirtërore.

Gëzuar 97-të vjetorin e lindjes Dhimitraq Goga! Gëzuar “Ditën e Madhe të Basketbollit Durrsak”, bashkëqytetarët e mi! Ta mbajmë sa më gjatë këtë traditë! Dhe për këtë shigjetojmë një njeri, një dashamirës, një qytetar të thekur, një mik dhe një shok. Gjithnjë mbarësi edhe për ty Igli Goga!

Dita e baketbollit durrsak! E pashuar gjithnjë!

Durrës: 29 qershor 2022

Në pamje, nga e djathta: Krenar Golashi, Dhimitraq Goga, Ramazan Njala, Naum Llazo, Spiro Urumi, Aleksandër Gorea.55 vjetori i lindjes së Dhimitraq Gogës. 29 qershor 1980.