Shalqiri të kujton verën! Nuk ka frut tjetër që e mbart më shumë sesa ai idenë e kësaj stine, por shalqiri nuk është thjesht një frut veror, është më shumë…
Ja 5 arsyet për të cilat, shalqiri nuk duhet të mungojë në dietën e askujt…
Sepse përmban likopenë aq sa konkurron për kurorën me domatet
Likopenët janë një faktor i rëndësishëm në botën e ushqimit. Janë super antioksidantë që kundërshtojnë radikalet e lira dhe ndihmojnë për të mbrojtur organizmin nga tumoret dhe sëmundjet kardiovaskulare, sipas specialistëve. Dhe tani po del që shalqiri ka aq shumë, ndoshta edhe më shumë, likopenë sa domatet që për momentin janë kampionet në këtë fushë. Hani një frut të bukur dhe mbi të gjitha, të jetë i pjekur mirë, sepse shalqiri sa më i pjekur është, aq më shumë likopenë ka.
Sepse lehtëson dhembjen e muskujve
Keni bërë ushtrime në palestër dhe ju dhembin muskujt? Lehtësojeni dhembjen me një thelë shalqiri të lëngshëm. Nga një studim i bërë në universitetin e Cartagena-s, në Spanjë, u zbulua që ritmi kardiak i sportistëve që para stërvitjes pinin 500 ml lëng shalqiri, kthehej më shpejt në nivelin e duhur dhe ata kishin më pak dhembje muskulore sesa ata që nuk kishin pirë. Kjo shkaktohet nga prania e një aminoacidi, citrulinës.
Sepse i bën mirë zemrës dhe enëve të gjakut dhe ndoshta kundërshton grumbullimin e yndyrës
Edhe këtu hyn citrulina. Ky aminoacid shndërrohet në organizëm në argininë, një aminoacid që sportistët e njohin mirë. Arginina kontribuon për të ulur presionin e gjakut dhe ka ndikim në sistemin kardiovaskular, në riprodhimin e qelizave dhe ndihmon në shërimin e plagëve. Përveç këtyre, shndërrimi i citrulinës në argininë duket se ndihmon për të mos lejuar grumbullimin e yndyrnave. Dëm nuk bën, ta provojmë.
Sepse shalqiri është një produkt i fuqishëm dhe efikas në heqjen e etjes
Shalqiri përmban të paktën 90% ujë. Është një ushqim shumë i shijshëm që shuan etjen, diçka shumë e dëshirueshme gjatë muajve të verës.
Sepse është një burim i shkëlqyer vitaminash
Nuk do ishim të vërtetë nëse do e reduktonim frutin vero ose shalqirin thjesht në një burim citroline dhe likopenësh. Shalqiri përmban edhe vitaminë C, hekur, kalium, fibra dhe betakaroten, që e kanë karotat me shumicë. Dhe, këto substance të mira nuk gjenden vetëm në tulin e frutit, por edhe në lëvoren e tij. Gërryjeni mirë, pra!