Autoriteti Portual rezulton të jetë një nga debitorët më të mëdhenj të bashkisë Durrës.

APD i detyrohet institucionit të qeverisjes vendore 15 milionë lekë të reja, duke mos përfshirë këtu të ardhurat nga koncesionet brenda hapësirës portuale.

Deklarata u bë nga drejtori i Taksave në bashkinë Durrës, Luan Dajko, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak disa ditë më parë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së këshilltares Morena Boja, Dajko nënvizoi gjatë fjalës së tij se ndryshe nga një vit më parë, buxheti i këtij viti është rritur me 13%, pavarësisht dy viteve të vështira që qyteti bregdetar ka kaluar për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

Duke renditur luftën kundër informalitetit dhe mirëadministrimin e të ardhurave nga vjelja e taksave dhe tarifave vendore si mënyra efikase për performancën e mirë buxhetore, Dajko u ndal tek menaxhimi i mirë që i është bërë lidhjes së kontratave me abonentët e UKD-së, duke i katërfishuar të ardhurat.

“Kemi arritur sot që e kemi agjent tatimor në 75 mijë abonentë nga të cilët, më shumë se 40 mijë janë banorë të qytetit dhe 35 mijë banojnë në Durrës dhe do të paguajnë taksat. Në vitin 2020 kemi arkëtuar 47 milionë lekë të reja nga taksat e popullatës, në dhjetor të 2021 198 milionë, pra 4 fishin. Shpresojmë që këtë vit të realizojmë edhe 200 milionë lekë të tjera me 35 mijë abonentët e tjerë që kemi”,- tha Dajko.