Protesta të dhunshme janë zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga qytetarë maqedonas të cilët të nxitur nga opozita po kundërshtojnë propozimin francez që i mbyll mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes.
Protestuesit fillimisht u tubuan para qeverisë, ndërsa pastaj lëvizën drejt Ministrisë së Jashtme ku thyen xhamat e ndërtesës.
Protesta është përshkallëzuar kur protestuesit pas Ministrisë së Jashtme i janë drejtuar ndërtesës së Kuvendit.
Aty një grup i maskuar i protestuesve kanë thyer kordonin e policisë dhe kanë nisur të hedhin sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke thyer edhe xhamat e Kuvendit.
Për pasojë nga këto sulme kanë mbetur të plagosur disa policë. Pas disa minutash tension u desh ndërhyja e forcave të ndërhyrjes të shpejtë të policisë për të shpërndarë protestuesit. Protestuesit i kërkojnë qeverisë të refuzojë propozimin francez pasi sipas tyre, me propozimin në fjalë bëhet “bullgarizimi” i Maqedonisë së Veriut.





