6 familje në lagjen nr.17 në Durrës, rruga “Ahmet Dakli”, kanë mbetur të pastreha që nga muaji shtator, por deri më tani ende nuk u është miratuar subvencionimi i qirasë.
Sakip Kote, djali i Ruzhdi Kotes, është vetë i gjashtë dhe prej 4 muajsh po jeton në shtëpi me qira, sepse shtëpia private ju dëmtua gjatë procesit të prishjes së pallateve në lagjen nr.17, të cilat u shembën pas vendimit të marrë nga Instituti i Ndërtimit.
“Jam vetë i gjashtë, me 3 fëmijë të vegjël. Nuk po ia dal dot më. Nuk mundem të paguaj qiranë. Kur do prisheshin pallatet, nënkryetari i bashkisë Arbër Braho erdhi na tha që do prisheshin dhe shtëpitë tona dhe do merrnim apartament në pallatet e reja që do të ndërtohen po aty. Kemi që nga shtatori që presim bonusin, por ende s’na është miratuar emri. Kontrollova sot listën e miratuar në këshill, por emri i babait nuk ishte. Nuk ishte as emri i asnjërit prej 5 kryefamiljarëve të tjerë që njësoj si mua na u dëmtua shtëpia”,- thotë i dëshpëruar Sakipi.
Në rrëfimin e tij për “DurrësLajm”, Kote thotë se është i detyruar të paguajë 250 mijë lekë të vjetra në muaj qira dhe tashmë e ka të pamundur të vazhdojë të shlyejë pagesat, pasi asnjë nuk është i punësuar në këtë familje, që trajtohet me ndihmë ekonomike.
“Të ushqehemi apo të paguajmë qiranë. Jemi mbytur në borxhe. Të paktën të na japin leje të rregullojmë shtëpinë e dëmtuar, sepse rrezikojmë të dalim në rrugë të madhe, nëse nuk paguaj qiranë”,- vijon më tej ai.
Shtëpia e familjes Kote është dëmtuar rëndë, siç shihet qartë edhe në foto, por nga autoritetet, përveç premtimit se do të futen në listën e familjeve që do të trajtohen me subvencionim qiraje, ata nuk kanë përfituar asgjë deri më tani.
Sipas Sakip Kotes, kryetari i njësisë administrative nr.5, Erjon Meka, i ka dërguar të gjitha dokumentet e kërkuara në bashki, por tek zyrat atje i kanë thënë se nuk kanë gjë në dorë, por po presin përgjigje nga Tirana.
Ditën e sotme, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, u miratua lista me emrat e 292 familjeve të mbetura të pastreha, si pasojë e shembjes së banesës së tyre, shkaktuar nga prishja e detyruar e pallateve, sipas ekspertizave të thelluara hartuar nga Instituti i Ndërtimit Tiranë.





