Bashkia Durrës ka mundur të zgjedhë më në fund Drejtorin e ri Ligjor të saj.
Pas rreth një viti që ky vend qëndronte vakant, pas dorëheqjes së ish-drejtoreshës Dalina Bucaj, kandidati fitues i konkursit të zhvilluar pak ditë më parë është shpallur Arben Isaku. Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të bashkisë.
Isaku vjen në këtë post pasi ka mbajtur më parë detyrën e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, nëndrejtorit të Kadastrës, sekretarit të degës së PS Durrës etj.
Lidhur me kandidimin e Isakut në këtë post, reagoi dje edhe kryetari i PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj, i cili nënvizoi gjatë konferencës për shtyp se Drejtori i ri Ligjor po shkonte “nga qelia te Bashkia”, duke iu referuar arrestimit të Isakut pak muaj më parë. Njëkohësisht ai e konsideroi konkursin e zhvilluar si fiktiv, pasi konkuronin dy kandidatë që janë kunetër mes tyre.





