Dekreti i presidentit Ilir Meta për marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit është rrëzuar sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Shqyrtimi i Dekretit të presidentit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” u shoqërua me debate mes deputetes Ina Xhupa dhe drejtuesit të komisionit, Eduart Shalsi.
Në qershor Meta riktheu për shqyrtim marrëveshjen për administrimin e parkut të Butrintit. Meta është shprehur se kjo marrëveshje cënon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.
Presidenti tha më parë se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.





