Është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Sokol Hoxha, i kërkuar prej 30 vitesh nga drejtësia shqiptare.

51-vjeçari mbërriti sot në Aeroportin e Rinasit.

Në vitin 1997, Hoxha vrau dy vëllezër në Patos të Fierit. Pesë muaj më vonë, ai dyshohet se vrau në Belgjikë një 19-vjeçare shqiptare, të cilën e kishte shfrytëzuar për prostitucion. Për këtë krim, ai është dënuar në mungesë nga drejtësia belge me burgim të përjetshëm.

Dyshohet se Sokol Hoxha kishte sajuar një martesë me Brunilda Hoxhën, por ai e shfrytëzonte për prostitucion, derisa e qëlloi për vdekje në një bar në Bruksel. Dyshohet se arsyeja e kësaj vrasjeje kishte qenë kundërshtia e viktimës për t’iu bindur Hoxhës në tentativën e tij për ta shfrytëzuar.

Sipas hetimeve, raportohet se pas vrasjes në Belgjikë, Hoxha u transferua në Britaninë e Madhe me dokumente të falsifikuara kosovare, siç shumë shqiptarë bënin në atë periudhë, duke përfituar nga lufta e Kosovës. Përmes këtyre dokumenteve false ai ka arritur të sigurojë leje qëndrimi në Britani.

Por frika ishte ende ekzistente se mund të zbulohej dhe ai dyshohet se mori vendimin për t’u transferuar në SHBA në fillim të viteve 2000. Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë.

Pas më shumë se dy dekadash, agjencitë hetimore shqiptare morën indicie se vendodhja e Hoxhës ishte në SHBA, pasi agjenci ligjzbatuese amerikane, belge, britanike, kosovare u angazhuan për të shkëmbyer informacione mbi këtë kriminel.