Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka falur ish-kryetarin e fushatës së tij presidenciale Paul Manafort, bashkëpunëtorin e tij të besuar Roger Stone dhe Charles Kushner, babain e dhëndrit të tij, Jared, biznesmen pasurish të patundshme.

Manafort ishte përballur me akuza në kuadrin e hetimit të prokurorit të posaçëm për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Trump më parë kishte zbutur dënimin penal për Stone, i cili u dënua se kishte gënjyer nën betim para ligjvënësve.

Ishte vala e dytë e faljeve që Presidenti Trump ka bërë këto dy ditë dhe u bënë të ditura sapo Trump arriti në Palm Beach të Floridës, për sezonin e festave. Gjithsej ai bëri të mërkurën 26 falje presidenciale dhe zbuti një pjesë ose anuloi pjesën e mbetur të dënimeve për tre persona të tjerë.

Me faljen presidenciale, operativi republikan Manafort iu shmang një pjese të mirë të burgimit të tij prej 7 vjet e gjysëm.

70 vjeçari Manafort, ishte ndër të parët në rrethin e ngushtë të Trump që u përball me akuza e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller si pjesë e hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Stone u dënua në nëntor 2019 nga një juri në Uashington se kishte gënjyer nën betim para ligjvënësve në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Trump e ndryshoi dënimin e tij në korrik, një ditë para se Stone të fillonte të vuante një denim prej tre vjet e katër muajsh burg.

Kushner, babai i dhëndrit të Presidentit Trump Jared Kushner, u dënua me dy vjet burg pasi u deklarua fajtor në 2004 me 18 akuza për evazion fiskal, ndërhyrje tek dëshmitarët dhe dhurime të paligjshme fushate.

Personi që ndoqi penalisht Charles Kushnerin ishte Chris Christie (ish-prokuror në atë kohë), ish-guvernator i Nju Xhërsit. i cili ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i Trump. Christie u citua nga CNN të thoshte se çështja e Charles Kushnerit ishte “një nga krimet më të neveritshme” që ai kishte ndjekur penalisht. /VOA