Gjykata e Posaçme ka shuar masën e arrestit me burg, ndaj ish zv ministres së Brendshme Rovena Voda. Kjo e fundit iu drejtua me kërkesë GJKKO-së, për shuarje mase, pasi i kanë përfunduar dënimi. Gjykata pas shqyrtimit, pranoi kërkesën e Vodës duke shuar masën e sigurisë ndaj saj.
Voda është shprehur se betejën për pafajësi do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit.
Ish zv.ministrja në prill të këtij viti u dënua nga gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me 10 muaj burg. Ish-zyrtarja e lartë u shpall fajtore për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësimin e Florida Beut në ministri. Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Florinda Beut dhe Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.