Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka përshëndetur vendimin e Maqedonisë së Veriut për të miratuar propozimin francez.
Në një deklaratë për shtyp të publikuar nga faqja e DASH, Blinken thotë se ky vendim vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor por edhe për të gjithë Europën.
Sipas tij, një BE që përfshin të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do jetë më i fortë dhe më i begatë.
Blinken shton se tani është koha për të punuar për hapat e mëtejshëm.
Deklarata e sekretarit Antony Blinken:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut për të ndërmarrë hapat e ardhshëm në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne i njohim kompromiset e vështira të konsideruara në këtë propozim, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase. Ky vendim vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën. Një Bashkimi Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Tani është koha për të punuar në hapat e ardhshëm.