Ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë e nënshkruan të dielën në Sofje, Protokollin e dytë midis dy vendeve fqinje përmes së cilit i mundësohet Maqedonisë së Veriut hapja e rrugës drejt negociatave me Bashkimin Evropian.

Takimi vjen një ditë pas miratimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez. Protokolli është pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë midis dy vendeve të arritur në vitin 2017.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ky akt paraqet një shans historik që pas 17 vjetësh me status kandidat Maqedonia e Veriut fiton rastin t’i hapë që nga e marta bisedimet me BE-në me që do të pasonte fillimin e fazës së fundit të aderimit drejt BE-së.

“Shpresojmë që ky proces dypalësh i bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë dhe rruga e negociatave integruese me me BE-në do të mundësojnë një bashkëpunim më të ngushtë midis dy shteteve tona” tha zoti Osmani.

Ndërkohë, ministrja e jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se është arritur përparim në të gjitha grupet sektoriale që janë pesë gjithsej në numër; Se ekspertët e Ministrisë së Jashtme bullgare janë të gasthëm të vazhdojnë punën me grupet e punës së Ministrisë së Jashtme maqedonase dhe se tani mbetet të zbatohet marrëveshja e arritur dhe për këtë, sipas saj, duhet një angazhim serioz nga të dy shtetet.

“Bullgaria, tha zonja Gençovska, është shteti që më fuqimisht e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, teksa u uroi atyre sukses në këtë rrugë.Megjithatë, Protokolli, përmbajtja e të clit ende nuk dihet, u tha se do të bëhej publik pas nënshkrimit të tij. Kjo do të sqaronte një sërë çështjesh të diskutuara si në qarqet politike por dhe më gjerë në Shkup lidhur me pretendimet se autoritetet maqedonase kanë bërë lëshime sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas./ VOA