Të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura nga sulmi kibernetik i një ditë më parë ndaj faqeve zyrtare, thuhet në një reagim të Kryeministrisë.

Të dielën, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi shqiptarët se është e detyruar të bllokojë aksesin e shërbimeve publike për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme e të sofistikuara nga jashtë Shqipërisë.

Në deklaratën për shtyp të Kryeministrisë, thuhet se detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

“Që në momentet e para të evidentimit të këtij sulmi AKSHI është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët tanë të Microsoft nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë kibernetikë të Detektimit dhe Përgjigjes ndaj Incidenteve (DART team). Gjithashtu ekspertët e “Jones Group International” janë këtu, për trajtimin e situatës dhe kthimin sa më shpejt në normalitet.

Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë.

Paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik.

Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt”.