Presidenti Ilir Meta, 3 ditë përpara dorëzimit të detyrës së kreut të shtetit, i ka dërguar një letër Kuvendit ku e informon për ecurinë dhe arsyet e ngecjes së marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për Kufizimin e Zonave Detare.

Meta e konsideron këtë si një çështje të hapur, e cila duhet të trajtohet nga qeveria me seriozitet dhe sipas Kushtetutës e interesit të vendit. Në letrën drejtuar Kuvendit, Presidenti tregon përplasjet dhe rezervat e tij për këtë çështje me Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edi Rama. Në letrën e tij, Meta, duke e vlerësuar këtë çështje shumë delikate, i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të informohen në detaje, të analizojnë me shumë kujdes, në mënyrë që çdo mënyrë veprimi të mos cenojë sovranitetin territorial dhe jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

LETRA E PRESIDENTIT META

Në datë 20.11.2018, i kam bërë me dije Kryeministrit dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme konstatimet dhe vlerësimet e mia mbi ecurinë jonormale për disa çështje në procesin e negocimit për projektmarrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për Kufizimin e Zonave të tyre Detare. Presidenti, veç të tjerave, ka evidentuar një mungesë transparence nga ana e qeverisë shqiptare, çka është e papranueshme për një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme, kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike, të sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërshtetërore, me një nga vendet fqinje. Kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zoti Edi Rama, lidhur me këtë çështje, ka realizuar kështu një veprimtari që shmang Presidentin e Republikës, që anashkalon informimin dhe vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë, çka nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe interesat e vendit.

Presidenti i Republikës nuk është në dijeni nëse midis dy qeverive apo dy kryeministrave të dy vendeve është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat. Duket qartë që Kryeministri Rama, në këtë rast ka vepruar me iniciativën e tij dhe për arsye, për të cilat ai do të duhet të informojë publikun, pasi procesi negociator zyrtarisht nuk është mbyllur apo negociatat për aq sa është informuar Presidenti, nuk janë deklaruar se kanë përfunduar pa sukses. Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe së drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet.

Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës. Sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë i përket popullit shqiptar, i cili për këto çështje e ushtron atë përmes përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të cilin qeveria qartësisht e ka shmangur në këtë proces gjithashtu, sipas dijenisë tonë. Të nderuar deputetë, Çështja e kufizimit të zonave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është një çështje e hapur mes dy vendeve, e cila në vlerësim të Presidentit të Republikës, duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010 dhe të drejtën ndërkombëtare, në mbrojtje të interesave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë, në interes të plotë të ruajtjes dhe të ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe për të garantuar sa më mirë sigurinë, dobinë ekonomike e sociale të vendit. Kjo çështje kërkon transparencë me qytetarët e vendit dhe të gjithë organet e përfshira në këtë çështje me rëndësi. Në institucionin e Presidentit të Republikës, ndodhet një praktikë e gjerë dhe e thelluar (tekniko-juridike) dhe një komunikim shkresor disa vjeçar midis Presidentit të Republikës – Kryeministrit – ministrit të Punëve të Jashtme- Kuvendit, si dhe institucioneve të tjera, pikërisht mbi këtë çështje, ku disa prej këtyre komunikimeve janë të nivelit “sekret shtetëror”, pikërisht për të mos cenuar platformën/pozitën negociatore të Shqipërisë, apo për të mosekspozuar nivelin e përgatitjes të grupit negociator/palës shqiptare.

Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta. Si President nuk kam lejuar cenimin e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, ndërkohë që Kryeministri Rama për gjithë sa parashtrova më sipër, në kundërshtim me atë që dikton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010, për të mos marrë asnjë kosto politike apo ligjore mbi vete, por për t’i faturuar ato te të tjerë, ka zgjedhur subjektivisht vet, me iniciativën e tij, që ta drejtojë çështjen në një Gjykate Ndërkombëtare, por ndërkohë që në mënyrë krejtësisht të pavend ka bërë pohime publike për shumë detaje apo qëndrime politike që në çdo rrethanë nuk e forcojnë pozitën negociatore apo procedurale të Republikës së Shqipërisë, por e dobësojnë atë. Si President i Republikës me mandat kushtetues deri në datën 24.07.2022, e vlerësoj këtë çështje shumë delikate, dhe për këtë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të informohen në detaje, të analizojnë me shumë kujdes, në mënyrë që çdo mënyrë veprimi që do të duhet të ndjekë Shqipëria për zgjidhjen e kësaj çështje, të japë rezultatin më të mirë për të dhe qytetarët e saj, të mos cenojë sovranitetin territorial dhe të jetë në funksion të prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, pa cenuar aspak dhe për asnjë shkak marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve.