Dita e parë e kësaj jave në Durrës ka nisur me një aksion të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike.
Në kuadër të rivitalizimit të sheshit “Pranvera” dhe investimit që po realizohet tek rrugët “Dëshmorët” dhe “Egnatia” loti II, sot janë hequr nga kjo zonë kioskat që qëndrojnë aty prej shumë vitesh. E gjithë zona u rrethua gjatë paradites me shiritat e sigurisë deri në largimin e kioskave me ndihmën e mjeteve të rënda.
Aksioni është drejtuar nga drejtori i IMT Durrës, Ardian Halili. Pronarët e kioskave janë njoftuar ditë më parë për operacionin e Inspektoriatit, ndërkohë që nuk dihet nëse ato do të spostohen në lagje të tjera të qytetit.
Rehabilitimi i sheshit “Pranvera” dhe dy akseve kryesore rrugore në Durrës financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe kap vlerën 189.910,073 lekë me TVSH.
Ditën e martë pritet një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike në bashkinë Durrës, e më saktësisht në njësinë administrative Ishëm. IKMT pritet të jetë nesër në Gjirin e Lalzit për të prishur rreth 100 objekte.





