Interi po lëviz gjithë gurët e tij për të arritur qëndrueshmërinë ekonomike aq shumë të kërkuar dhe për të përcaktuar të paktën një nga pikat e kërkuara nga presidenti Zhang: atë të reduktimit të pagave me 15%.Një kontribut jo të vogël në këtë drejtim pritet të japin lojtarët që kanë bërë tashmë gati valixhet.

Aleksis Sançez është i pari, pasi rroga e tij i kushton në total 10 milionë euro bruto klubit, që prej kohësh përpiqet ta largojë kilianin, aq sa sulmuesi nuk ka qenë i thirrur në asnjërën prej miqësoreve të Interit gjatë kësaj vere.Jo vetëm Sançez, por në listë janë edhe Andrea Pinamonti, Lusien Agume, Valentino Lazaro dhe Edi Salsedo, me të katërt që u rëndojnë 10 milionë euro të tjera financave.

20 milionë euro në total nga 5 të padëshiruarit e zikaltërve, një shumë që nëse do t’u shtohet kursimeve nga të larguarit e tjerë mund të jetë një faktor i rëndësishëm në përmbushjen e planit ekonomik.

Interi ka kursyer deri më tani 35 milionë euro nga largimet e kësaj vere, ku impaktin më të madh e ka pasur lamtumira e Arturo Vidalit, pa harruar ato të Perisiçit, Ranokias, Kolarovit, Vesinos, Radusë e Kaisedos.

Nëse do të realizohen të gjitha largimet dhe do të kalohet kuota prej 50 milionë eurosh, drejtuesit mund t’i gëzohen një tjetër suksesi, këtë herë ekonomik.