Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paralajmëruar ditën e sotme në orën 18:00 një protestë në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme. Mësohet se ky organizim ka ardhur pasi sipas tyre janë ndaluar dhunshëm nga policia 4 aktivistë të kësaj Aleance, Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani dhe Ergys Mërtiri madje sipas tyre dhuna është përshkallëzuar në Komisariat, edhe pse për ndalimin e tyre nuk ka pasur një komunikatë zyrtare nga ana e Uniformave blu.

Ata akuzojnë policinë se janë përpjekur të zhdukin provat për shembjen e Teatrit (17 maj 2020) nga celulari i Ergys Mërtirit dhe se kanë dhunuar me grushte dhe shkelma Astrit Seranajn dhe Donald Martinin.

Në këtë protestë, Aleanca vjen me 3 kërkesa marrjen e masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre; shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Ristrukturimin e Policisë së Shtetit, pasi sipas tyre asgjë nuk ka ndryshuar që nga dhuna e ushtruar natën e shembjes së Teatrit e deri tani. 

“Dje disa nga pjesëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri janë ndaluar dhunshëm nga policia në përpjekjen e tyre për të bërë ‘live’-n e përditshëm para sheshit të teatrit dhe më pas janë shoqëruar forcërisht në komisariat pa asnjë arsye, përgjatë së cilës është ushtruar dhunë psikologjike.

 Brenda ambienteve të komisariatit dhuna është përshkallëzuar. Në prani të dhjetëra efektivëve të policisë, disa prej tyre janë përpjekur të zhdukin provat nga celulari i Ergys Mërtirit, të tjerë kanë goditur në fytyrë me grushte dhe shkelma Astrit Seranaj dhe Donald Martinin koreograf i njohur, pikërisht ditën që ai fitoi një çmim prestigjioz në Los Angeles Usa duke ngritur lart kulturën shqiptare.

Në kohën kur Komisionerja për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut në Strasburg Znj. Dunja Mijatoviç i bën thirrje qeverisë shqiptare të respektojë të drejtën e tyre për protestuar ndodh krejt e kundërta: Policia e Shtetit dhunon aktivistët e Teatrit duke shkelur hapur ligjin e Policisë.

Ky veprim i Policisë së Shtetit e ka fillesën tek dhuna e ushtruar më 17 maj kur shembja e Teatrit filloi përgjatë kohës kur mbrojtësit e Teatrit ishin ende brenda dhe ende nuk po ndalet edhe pas protestave që i shkaktoi vrasja e të riu Klodian Rasha.

Ky veprim tregon se Policia e Shteti nuk ka reflektuar për dhunën që po ushtron ndaj protestuesve dhe fjalës së lirë por tregon se filozofia e saj është pikërisht dhuna për njerëzit që kërkojnë të drejtat e tyre, ndërkohë që duhej të ishte kapja e keqbërësve dhe kriminelëve.
E konsiderojmë këtë një akt shumë të rëndë që cenon të drejtat dhe liritë e njeriut në Shqipëri ndaj kërkojmë:

1. Marrjen a masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre.
2. Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Ardi Veliu.
3. Ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo t’i rikthehet qytetarëve.
Sot në orën 18.00 në sheshin para Ministrisë së Brendshme.
Së bashku për ti rikthyer dinjitetin Policisë së Shtetit”,
thuhet në njoftimin zyrtar.