Nga BUJAR QESJA

Sapo njoftohemi se, sosi minutat e fundit të frymëmarrjes nënë Ollga. Një nënë e madhe, me zemër sa trupi. Largimi nga jeta aksidentalisht, në vitin 1997, në moshën 50 vjeçare i djalit të vetëm, dritës së syrit, nga basketbollistët më të mirë durrsakë në vite Spiro Hotova, e dërrmoi shpirtërisht nënë Ollgën.

Shtëpia e Spiro Hotovës, falë shpirtit të madh sa deti të nënë Ollgës dhe motrës së dhëmbshur Belinës, u kthye në takim miqsh dhe shokësh.

Nënë Ollga Hotova, u largua nga jeta në moshën 94 vjeçare. Në agoni shqiptonte butë dhe qartë dy emra: Spiro dhe Kristian. Ky i fundit është i vetmi i mbetur nga familja e Spiros. U shuajt krejt familja: nga vajza Lorena, mama Merita dhe Spiro.

Dhimbje në familjen Hotova. Dhimbje edhe për ne shokët dhe miqtë e Spiros. Ollgën dhe Belinën e kemi patur si nënën dhe motrën tonë.

Nga Voskopoja e largët, dhimbja për largimin nga jeta të Ollga Hotovës, përjetohet më shumë. Ishte një shenjë e ndjeshme, që na bënte të kujtonim sadopak Spiron. Dhe tani ka mbetur motra Belinë dhe bashkshorti i saj, i miri Arqile Avrami dhe mbesa Jorida.

Ngushëllimet më të sinqerta dhe më të prekshme, për ndarjen nga ne të Ollga Hotovës, nënës së Spiros tonë të paharruar. Lotët gati të thara, nuk do të prekin më faqen e rreshkur të Ollga Hotovës.

Erdhe tek Spiro nënë, pasi një Zot kemi. Eshtrat e Spiro Hotovës vërtet janë në Itali, por shpirti është brenda shpirtit kurdoherë të padorëzuar të nënës së tij, Ollgës tonë aq të dashur dhe që kurrë nuk do të tretet nga kujtesa e jonë.

Prehu e qetë, në qetësinë tënde Ollga Hotova! Kujtimi për Spiron, do të jetë edhe kujtimi për ty.

Lamtumirë nëna e dhëmbshur dhe hallemadhe Ollga Hotova! Gjithnjë e paqtë, në parajsën tënde!

Voskopojë: 10 gusht 2022