Sot Kryeministri Edi Rama si dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj ishin të pranishëm në qytetin e Shijakut i cili vazhdon intensivisht me rindërtimin pas tërmetit.

Në Njësinë Administrative Xhafzotaj iu dorëzuan çelësat e shtëpive të reja 10 familjeve. Kryebashkiaku Elton Arbana thotë se po punohet me orare të zgjatura që të përfundojnë brenda dhjetorit banesat individuale të nisura. Ndërkohë që deri tani janë trajtuar me bonus qeraje të gjitha familjet e pastreha.

Përurimi i gjimnazit “16 Shtatori”

Sot gjithashtu u përurua gjimnazi “16 Shtatori” Shijak me 345 nxënës, 13 klasa, 1 palestër, 3 laboratorë, bibliotekë, ambiente multifunksionale. Gjatë këtij përurimi ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Rehabilitimi i aksit që lidh “Katër rrugët” me rrugën Ndroq-Plepa

Ndërkohë një tjetër premtim i mbajtur për Shijakun, është rehabilitimi i aksit që lidh “Katër rrugët” me rrugën Ndroq-Plepa. Arbana është shprehur sot se në këtë aks rrugor, ku nuk është vënë dorë për 30 vjet, kanë nisur punimet për asfaltimin dhe rehabilitimin e rrugës. Paralelisht me rrugën po ndërtohen kanalet kulluese. 

Ky segment rrugor do të përmirësojë aksesin për rreth 40 mijë banorë. Rruga ka intensitet të lartë qarkullimi si për njerëzit dhe për mjetet e transportit të të gjithë llojeve. Pothuajse gjatë gjithë gjatësisë në dy anët ndodhen objekte banimi 1-3 kate gjithashtu dhe biznese.

“Ndryshimi rrënjësor i Shijakut po ndodh çdo ditë nga pak për të përmirësuar jetën dhe mirëqenien e përbashkët të banorëve të tij”, thekson Arbana.