Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka nisur sot vizitën e parë zyrtare jashtë vendin. Ai ka shkuar në Prishtinë, ku së pari është takuar me homologen e tij, Vjosa Osmani. Të dy dhanë në fund nga një deklaratë për shtyp.
“Vij në shtëpinë e shqiptarisë si bir e vëlla, mes bijve të kësaj toke krenare dhe vëllezërve të të njëjtit identitet. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun e shqiptarëve nuk mund te zbehë këtë trashëgimi të lavdishme. Kosova dhe Shqipëria, gëzojnë të njëjtin vizion dhe aspirata, të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Reformat integruese, thelbësore për stabilitetin rajonal, për të mbështetur mirëqenien dhe paqen në rajonin tonë”, u shpreh Begaj i cili shtoi se destinacioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës janë BE-ja dhe bashkimi në NATO.
Begaj shtoi se hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një lajm i mirë edhe për Kosovën dhe gjithë rajonin.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit. Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur”, u shpreh Begaj.
Presidenti shtoi më tej se Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Begaj përshëndeti maturinë e shtetit të Kosovës në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në për situatën në veri.
“Vazhdimi i dialogut me Serbinë, e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm” .
Në fund ai bëri thirrje që të dy vendet të vijojnë përpjekjet për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet tona ekonomike.
“Të jemi të gjithë bashkë, të ecim përpara me urtësi e maturi në mbrojtje të interesave tona, të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të paqes në rajon”, tha Begaj.





