Administratori i “Albanian Seaports Development Company”, Erlis Hereni thotë se sipërfaqja e Portit të Durrësit është 80.9 hektarë dhe se aktualisht, trualli i ka kaluar në pronësi Ministrisë së Financave.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Hereni u shpreh se trualli i portit të Durrësit do t’i mbetet shtetit shqiptar, pasi është futur në këtë projekt si bashkëzhvilluese.
“Dëgjova një shifër 1.5 milionë metra katror të portit. Unë ftoj çdo inxhinier topograf të shkojë dhe të bëjë matjet sesa metra katror ka porti, sepse nuk ka asgjë më tepër se 80.9 hektarë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, trualli i ka kaluar Ministrisë së Financave. Trualli i vënë në dispozicion do i kalojë entitetit që unë përfaqësoj, pra ASDC-së.
ASDC-ja, në zbatim të kontratës dhe marrëveshjes që do firmoset dhe do kalojë në parlament, do vërë në dispozicionin truallin, gjurmë pas gjurmë zhvillimi, trualli mbetet në pronësi të shtetit shqiptar, pasi shteti shqiptar ka hyrë në këtë projekt si bashkëzhvillues.
(ASDC) “Albanian Seaports Development Company” është një shoqëri aksionere në pronësi të Autoritetit Portual Durrës.
Një javë më parë, në Tiranë u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për Portin turistik të Durrësit, mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Muhammed Alabbar.