Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen 137 kg kokainë që erdhi nga Pireu i Greqisë dhe u kap në portin e Durrësit.

Sipas njoftimit të SPAK, çështja i ka kaluar GJKKO-së. Në burg ndodhen Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, punonjës i portit.

NJOFTIMI I PLOTË

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.167/2019, në ngarkim të pandehurve:

Gentian Malindi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si krijues, organizator dhe drejtues dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Altin Myslihaka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarrës dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Adrian Bega, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, si pjesëmarres dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Të pandehurit janë bashkëautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokaninë, të sekuestruar në 4 (katër) kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.

Hetimet e këtij janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike.

Ndërkohë është ndarë procedimi penal dhe vazhdon kryerja e veprimeve hetimore edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.