Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Flutura Berishën dhe Nikoll Sherrnikun të arrestuar tre ditë më parë në Lezhë, pasi u kapën me makinë të blinduar dhe municion luftarak me vete. Berisha dhe Sherrniku dyshohet se do bënin atentat në Shëngjin, pasi në makinë iu gjetën 1 kallashnikov me plumb në fole.
Nikoll Sherrniku është një emër i njohur për efektivët, pasi ishte nën masën ‘arrest shtëpie’, sepse ishte i implikuar në vrasjen e efektivit Xhulio Prela në dhjetor të vitit 2020. Në makinën e blinduar tip ‘Toyota’ u kap dhe u arrestua edhe 34-vjeçarja Flutura Berisha, ndërsa brenda mjetit ishte edhe një 15-vjeçar.
Kur ata kanë pikasur policinë, tentuan të largohen me vrap. 34-vjeçarja Flutura Berisha, e cila ishte edhe drejtuesja e ‘Toyotës’, ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga policia. Brenda makinës u gjet një krehër automatiku me fishekë në të. Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së 34-vjeçares, janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të policisë.





