Artion Barjamaj dhe Shyqyri Myrtollari, dy të rinjtë e FRPD Durrës të arrestuar për protestën e 15 dhjetorit kanë dalë mëngjesin e kësaj të premteje para gjyqit.
Barjamaj dhe Myrtollari do të njihen sot me masën e sigurisë që do të vendosë gjykata.
Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, sipas njoftimit të policisë.
Kujtojmë që në protestën e fundit kundër vrasjes së Klodian Rashës, të thirrur përmes rrjeteve sociale të rinjtë në Durrës u shfaqën me një arkivol. Ata kishin ngjitur disa pankarta në të, duke nënkuptuar varrosjen e demokracisë dhe instalimin e diktaturës në vend.
Kjo nuk është hera e parë që Bajramaj dhe Myrtollari ndalohen nga policia për protestë, pasi më herët, më 9 dhjetor, efektivët shoqëruan në komisariat dy të rinjtë dhe ndaj tyre u ngrit akuza “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Pas shoqërimit, më datë 10 dhjetor, Barjamaj, doli në një deklaratë për mediat dhe tha se dy të proceduarit nuk ishin as organizatorë dhe as drejtues të protestës, thjesht të rinj që kërkojnë drejtësi në këtë vend!





