Nga Mila Ballhysa
Rialokimi i disa operacioneve portuale në Porto Romano ku do të ndërtohet porti i ri dhe transformimi i portit të Durrësit në port turistik ka ngjallur jo pak diskutime javët e fundit në opinionin publik, por edhe ka trazuar politikën.
E gjitha kjo ndodh jo vetëm për shkak të “peshës” që ka porti më i madh në vend, një objekt i rëndësisë së veçantë, por edhe për faktin se autoritetet nxitohen të deklarojnë investimet me shifra me shumë zero, ndërsa nuk japin detaje teknike mbi projektin e portit të ri, apo kontratën e lidhur me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe drejtorin e kompanisë së famshme EMAAR Group, Muhammed El Alabbar.
Po ndërsa autoritetet shqiptare nuk bëjnë transparente detajet e marrëveshjes, qeveria Rama ndërkohë ka nisur prej disa muajsh nismat ligjore për të kthyer në realitet transferimin e disa prej operacioneve portuale në Porto Romano.
Në mbledhjen e datës 14 tetor 2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit është miratuar Plani Kombëtar Sektorial i Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale (Faksimilen e plotë të vendimeve të marra e gjeni në fund të shkrimit).
Në vendimin e marrë në mbledhje, i cili është firmosur nga kryeministri Edi Rama, ministrja e MIE-së, Belinda Balluku dhe anëtarja e KKT-së, Ledia Tota, thuhet se është urdhëruar “Autoriteti Portual Durrës që brenda muajit nëntor 2020 të marrë masat për:
- Hartimin e planit të ri të përdorimit dhe administrimit të tokës (masterplan);
- Hartimin e dokumenteve tekniko-ligjore që do të orientojnë Autoritetin Portual për zhvillimin e operacioneve portuale, shërbimeve dhe investimeve në insfrastrukturën detare dhe tokësore të terminaleve përkatëse, në përputhje me zonat e përcaktuara në Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale;
- Për përgatitjen e praktikës tekniko-ligjore për miratimin e masterplanit në përputhje me përcaktimet e legjislacionit sektorial.”
Por krahas Autoritetit Portual Durrës, ngarkohet edhe bashkia Durrës që pasi të miratohet masterplani i portit ai të integrohet me planin e përgjithshëm vendor.
“Ngarkohen Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë të marrin masa që, pas miratimit, PKS TDIP të integrohet me planet e përgjithshme vendore, duke ndjekur përcaktimet e vendimit nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, të ndryshuar.”,– thuhet ndër të tjera në vendimin e KKT-së.
Harta e integruar e portit të ri
Në mbledhjen e KKT është miratuar edhe Harta e Integruar e Transportit Detar Durrës-Vlorë. Nëse shohim me kujdes hartën, duke iu referuar legjendës së saj, porti i integruar i Durrësit (që përfshin peshkimin, pasagjerë/udhëtarë, mallra/logjistikë si dhe hidorkarbure) është pozicionuar në Porto Romano, pas dy koncesioneve Romano Port dhe Port MBM, që ndodhen në po të njëjtën zonë.
Ndërsa tek porti aktual i Durrësit është vendosur shenja që i korrespondon portit turistik që do të ketë vetëm dy funksione (turistik dhe vizitorë).

Pra duket se artikulimi i ministres Belinda Balluku dhe deklarata e Ramës para investitorit arab pak ditë më parë, nuk janë vetëm deklarata paraelektorale, por qeveria ka hedhur hapat e parë për transferimin e disa prej operacioneve në portin e ri që planifikohet të ndërtohet në Porto Romano.
DurrësLajm mëson se pavarësisht se APD-së iu urdhërua hartimi i masterplanit brenda muajit nëntor, ai ende nuk ka përfunduar. Hartimi i masterplanit është duke u realizuar nga kompania Ernst&Young . Aktualisht është duke përfunduar faza e parë që lidhet me përcaktimin e layout-it. Masterplani që po hartohet parashikon ndërtimin e portit të ri, identifikimin e të gjitha sipërfaqeve që lidhen me kalatat e përpunimit dhe hapësirat në zonën e interesit, ku pritet që APD do të menaxhojë dy facilitete.
Ministrja Balluku, gjatë një interviste në një medie kombëtare deklaroi një shifër prej rreth 500 milionë euro që mund të përdoren për ndërtimin e portit të ri, por pa specifikuar aspak nëse do të jetë buxheti i shtetit që do ta financojë këtë investim madhor, apo siç është bërë tashmë praktikë e rëndomtë e qeverisë dhënia me koncesion apo ofertë të pakërkuar.
Njëkohësisht dy koncesionarët e portit të hidrokarbureve në Porto Romano, MBM dhe Romano Port kanë përfituar në shtesat e kontratës (janë miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Shqipërisë) edhe përpunimin e ngarkesave rifuxhio.

Ata janë duke realizuar investime të rëndësishme në hapësirat portuale që kanë përfituar nga koncesioni për të ndërtuar terminalet e veçanta për përpunimin e mallrave, krahas përpunimit të hidrokarbureve dhe nënprodukteve të tyre.
Port tregtar apo port turistik
Një ditë më parë, u publikuan statistikat e përpunimit të mallrave përgjatë muajit nëntor. Shifra ishte vërtet mjaft inkurajuese, plot 29% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh se jemi në kulmin e pandemisë Covid dhe ekonomia në të gjithë botën po vuan pasojat, shifrat e eksporteve dhe importeve në portin e Durrësit, të regjistruara përgjatë një muaji tregojnë edhe njëherë rëndësinë ekonomike që ka porti më i madh në vend, si një nyje mjaft e rëndësishme e transportit kombëtar dhe ndërkombëtar. Pikërisht se porti tregtar është në një fazë mjaft të mirë të zhvillimit të tij, projekti për ndërtimin e portit të ri duhet të jetë strategji e mirëstudiuar me ekspertët më të mirë të fushës vendas, por edhe ndërkombëtarë. Në hartën e integruar të miratuar në mbledhjen e KKT-së, është vendosur edhe zona e integruar e logjistikës portuale. Porti i ri nëse nuk do të ofrojë logjistikën më të mirë të mundshme dhe infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, aq shumë të nevojshme për një port konkurues me homologët e tij në rajon, mund të kthehet në një fiasko, pasojat e së cilës mund të rëndonin mbi ekonominë e qytetit dhe vendit për shumë vite me radhë.
Ndërtimi i një porti turistik në Durrës me një vlerë rreth 2 miliardë euro mund ta shndërrojë qytetin bregdetar në një destinacion të preferuar për turizmin elitar.
“Kur ndërtohet një port marinë, sikurse ato ekzistuese të madhësive të mëdha në Mesdhe, ne rindërtojmë edhe pjesën e përparme pra të bregut të detit. Kjo do të ndodhë edhe në Durrës duke përdorur metodat inxhinierike e projektuese më të avancuarat të kohës. Do të ndërtohen apartamente, hotele, qendra tregtare përfshi ambientet argëtuese. Kjo nuk mund të bëhet pa pasur një infrastrukturë të klasit të parë. Për këtë duhet menduar se si rimodelohen rrugët, parqet dhe mbi të gjitha çdo ambient për njerëzit që ata ta jetojnë jetën me ato shembuj më të mirë që janë ndërtuar në botë. Avantazhi im është se e kam bërë këtë punë gjatë përgjatë 30 viteve të fundit me stafin tim profesionist. Këtu do të sjell më të mirën e të gjithës asaj çfarë kemi mësuar, kjo për Durrësin.”,– tha investitori Muhammed El Alabbar.
A do të ndërtojë vërtet El Alabbar më të mirën e asaj që ka mësuar gjatë viteve kjo mbetet për t’u parë. Por mbi të gjitha ajo që vlen të shtrohet si pyetje është: Çfarë do të përfitojnë realisht arabët nga porti i Durrësit dhe çfarë do të humbin durrsakët, qyteti dhe vendi nga ky transferim që po synohet të realizohet në kohë rekord!!!





