Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku thotë se Bordi i Transparencës në vendin tonë nuk ndikon në çmimin e naftës.
E pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, Balluku tha se Bordi i Transparencës i referohet çmimit të produktit final në bursat ndërkombëtare, ndërsa sipas saj, kritikët i referohen çmimit të naftës së papërpunuar.
“Bordi i Transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës, është aty për të bërë transparencë. Kam dëgjuar që ka një abuzim masiv në media përsa i përket çmimit të naftës. Flitet që çmimi i naftës ka rënë në bursa ndërkohë që në Shqipëri ngrihet, fakt që është i rremë. Çmimi të cilit ne i referohemi ka të bëjë me çmimin e produktit. Është shumë e lehtë për ta parë si janë çmimet në të vërtetë sot në bursë”.
E pyetur përse në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi çmimi i naftës është më i lirë se në Shqipëri, ministrja Balluku tha se ka të bëjë me taksën e karbonit të automjeteve që në këto 2 shtete paguhet veçmas, ndërsa në vendin tonë është e përfshirë në karburant.
“E kemi thënë disa herë dhe kemi bërë analizë të çmimit dhe çfarë përmban ai çmim. Taksën e karbonit Mali i Zi dhe Maqedonia e paguajnë të veçuar”.





