Ditën e djeshme është hakuar faqja zyrtare e kryetarit të bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, 5 ditë pas incidentit në uzinën e armëve në Gramsh nga dy rusët e dyshuar për spiunazh Mihail Zorin e Zvetlana Timofevva si dhe ukrainasi Fedis Alpatov.

Me sa duket nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Klodian Taçe, ka deklaruar se ai më parë ka qenë drejtori i uzinës mekanike të armëve që u sulmua nga rusët.

“Nuk besoj se vjedhja e profilit tim në rrjete sociale ka lidhje me sulmin në uzinë. Pavarësisht se duhet të them se unë kam qenë drejtori i uzinës mekanike e armëve në Çekin por nuk kam diçka për të thënë derisa të rikthehet faqja”.

Nisur nga ky fakt lindin dyshime se sulmi ndaj faqes së tij në rrjete sociale mund të ketë lidhje me ngjarjen në uzinën e Gramshit. Gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve.

Kryetari i bashkisë konfirmoi për Express se faqja i është hakuar që prej mbrëmjes së djeshme ndërsa ende nuk kanë mundur ta rimarrin.