Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri dhe u prit me ceremoni shtetërore.

Rama e konsideroi homologun Bettel si avokatin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ndërsa kryeministri i Luksemburgut tha që Shqipëria duhet në BE.

Rama: Luksemburgu është një vend shumë i vogël në përmasa, por me një peshë shumë të madhe, njësoj si floriri. Dum të kemi këtu më shumë interes dhe aktivitet nga kompanitë e Luksemburgut. Kryeministri ka propozuar që të zhvillojmë edhe një takim me dhomën e tregtisë dhe është shumë e rëndësishme ti ftojmë e të kapërcejmë barrierën e përceptimit që i pengon rëndomtë të tjerët të vijnë në Shqipëri. Dua të shtoj edhe një fakt tjetër që në Luksemburg ka një komunitet shumë të respektuar, ashtu sikundër dua të mbyll këtë fjalë me një falenderim për kryeministrin për interesimin e tij për rajonit. Luksemburgu është një zë i rëndësishëm në tryezën e Europës.

Xavier Bettel: Më kujtohet para shumë vitesh kur isha në universitetin e Selanikut, dhe aty e jetova këtë rajon. Mund t’i jetojmë gjërat nga librat por ta jetosh situatën është ndryshe. Rruga që keni bërë që në ato vite është për t’u admiruar. Unë u vonova pak për të ardhur në Tiranë por shpresoj që ju të vini shumë shpejt në Luksemburg. Janë disa itinerare kulturore që po bashkëpunojmë bashkë por do të shohim si mund të ketë mundësi për studentët dhe universitetet mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Edhe turizmi është një pikë kyçe ku mund të bashkëpunojmë. Europa është një projekt paqeje, sot përgjigja e çdo gjëje janë takimet e shkëmbimet mes njëri-tjetrin. Kur detyrat janë bërë duhet të njohësh dhe të thuash po, duhet të bëjmë përpara. Disa vende ishin të ngadalta, por për mua është e rëndësishme që të ecet përpara. Me kryeministrin Rama biseduam për mënyrat se si Shqipëria mund të ecë më përpara. Nuk mund t’i lejojmë vetes tensione e konflikte shtesë, duhet të ecim përpara.