Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ekonomin si ministre Bujqësie. Kjo lëvizje në qeverinë Rama ka ardhur pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i ministrit të Brendshëm pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.

Në këto shtatë vite qeverisje nga socialistët, Bledi Çuçi do të jetë ministri i katërt pas Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe Sandër Llleshajt që do të drejtojë Ministrinë e Brendshme.

Me këto dy propozime të reja kryeministri Edi Rama është treguar i kujdesshëm, për të shmangur një përplasje të re mes presidentit Ilir Meta i cili e vonoi dekretimin ministër të Sandër Lleshajt dhe refuzoi atë të Gent Cakajt.

Ai u bë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së që në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kom­bëtare dhe kryetar i Komisionit të Asam­blesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.

Që prej shkurtit 2012, ai mban edhe detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS.  Në qeverinë Rama1 prej shtatorit 2013, për tre vjet e gjysmë Bledi Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit.

Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale. Zoti Çuçi është i dërguar politik i PS në Gjirokastër.

Milva Ekonomi aktualisht kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë iu bashkua kabinetit qeverisës të kryeministrit Rama si ministre e Ekonomisë në vitin 2016. Në zgjedhjet e 2017-s ajo u zgjodh deputete në Durrës. Zonja Ekonomi ka shërbyer edhe si zëvendësministre e Shëndetësisë. Nga viti 1994 deri në 2005 ka shërbyer si Drejtoreshë e  Përgjithshme  i Institutit të Statistikave të Shqipërisë.