Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për kalimet kufitare mes dy vendeve.

Stoltenberg përmes një postimi në Twitter ka mirëpritur marrëveshjen dhe ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiç që çështjet e pazgjidhura t’i zgjidhin përmes dialogut. Ai shtoi se megjithëse marrëveshja u arrit, KFOR-i mbetet vigjilent sa i përket sigurisë.

“E mirëpres marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë i inkurajoj të dy, presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes dialogut politik”, ka shkruar Stoltenberg.