Kryeministri Edi Rama dhe qeveria ka organizuar një dëgjesë publike për rikthimin e basteve sportive pas kërkesës së Komitetit Olimpik Shqiptar.
Aktiviteti nisi me fjalën e Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se mbyllja e basteve dhe lotarive me ligj është vendimi i duhur që ka ndërmarrë qeveria disa vite më parë.
“Shumë faleminderit dhe Presidentit të FSHF dhe Kryetarit të KOKSH dhe të gjithë përfaqësuesve këtu të të gjithë federatave sportive për përgjigjen pozitive të kësaj ftese. Në fakt, e vërteta është që kjo ftesë për ta bërë këtë dëgjesë publike është rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj që publikisht keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizimin e basteve sportive. Ne natyrisht që kemi ndjekur këtë debat që ju keni hapur. Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka bërë edhe komunikime me ju për të dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Padyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potenciale të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitetin sportiv, qoftë për federatat e sportit, qoftë për federatat shqiptare të futbollit, por nga ana tjetër kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do të them dy fjalë. Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit duke pasur parasysh një situatë absolutisht dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, pafundësinë e sallave të bingove e atyre makinetave, ekraneve, basteve. Një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por edhe me situata familjare dramatike të katandisura deri në tragjedi. Për hir të së vërtetës, ne besojmë që ka qenë një vendim absolutisht i drejtë dhe i duhur”, u shpreh kryeministri Edi Rama.





