Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e kësaj të premteje qytetin e Vlorës, ku nga një automjet në lëvizje u qëllua ndaj një automjeti tip “Audi” ku po udhëtonin dy efektivë të policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta.
Raportohet se një prej efektivëve është identifikuar si Nako Mehmetaj, i punësuar në Policinë Kufitare të Sarandës. Ndërsa efektivi tjetër me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, është shtetasi Anxhelo Breshani.
Sipas informacioneve paraprake raportohet se dy efektivët e policisë nuk kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.





