Forcat e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ushtarake ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva me municione precize, në një përshkallëzim të ri të tensioneve mes dy vendeve.

Sipas njoftimit të CENTCOM, operacioni u zhvillua në orët e para të së mërkurës dhe erdhi si përgjigje e menjëhershme ndaj sulmeve që,  Irani kreu kundër tre anijeve tregtare që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit.

Autoritetet amerikane e cilësuan veprimin iranian si shkelje të armëpushimit dhe një kërcënim për lirinë e lundrimit ndërkombëtar.

Objektivat e goditura përfshinin sisteme të mbrojtjes ajrore, qendra komanduese dhe kontrolli, radarë bregdetarë, kapacitete raketore kundër anijeve, si edhe mbi 60 mjete të vogla detare të Gardës Revolucionare Islamike, të vendosura në dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i aftësisë së Iranit për të sulmuar transportin tregtar në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.

Nga ana tjetër, Teherani dënoi sulmet amerikane, duke i cilësuar si shkelje të armëpushimit dhe paralajmëroi se do të japë një “përgjigje shkatërruese”.