Një person është ndaluar për vrasjen e biznesmenit shqiptar Fatmir Ara.

Autoritetet policore italiane kanë arrestuar gjatë natës së shkuar, 6 shtator, një 30-vjeçar italian banues po në qytezën Mathi ku jetonte dhe Fatmir Ara.

Sipas informacioneve të para, në banesën e të dyshuarit si autor është gjetur një pushkë që mendohet të jetë arma e ekzekutimit të shqiptarit.

Prokurorët italianë kanë dyshimin se 30-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm e se motivi i këtij krimi është një larje hesapesh mes tyre.

Ajo ç’ka mund të konfirmohet sot është se Fatmir Ara është ekzekutuar të njëjtën ditë të zhdukjes së tij, pra ditën e premte datë 2 shtator 2022, kur doli nga shtëpia për të shkuar në kantier e ku nuk mbërriti kurrë.

Trupi i pajetë i tij u gjet në fushën pranë zonës San Carli Canavese, mbrëmjen e 3 shtatorit jo shumë larg vendit të tij të punës.

Autopsia e kryer nga mjeku ligjor ka rezultuar se fatale për jetën e biznesmenit kanë qënë tre plumba që ka marrë në kokë. 

Fatmir Ara kishte precedent penalë për trafik droge, i akuzuar në të shkuarën si kapo i një bande trafikantësh që fitonin mbi 700 mijë euro në vit, por që prej një viti e kishte shlyer dënimin me drejtësinë italiane.