Pas shpalljes së fituesve të konkursit që zhvilloi bashkia për 4 vende vakante pune, pranë redaksisë së “DurrësLajm”  ka mbërritur ankesa e njërës prej 20 kandidatëve në garë.

Kandidatja Drita Çuni ka konkuruar për dy pozicione pune Inspektor në Sektorin e Kontrollit të Taksave dhe Tarifave Vendore si dhe Inspektor pranë lagjes nr.3, por nuk është shpallur fituese në asnjërin prej këtyre dy pozicioneve. Emri i Çunit ka qenë mes kandidatëve që ju nënshtruan konkursit më datë 4 dhjetor.

Në pretendimin e saj, Çuni shprehet se testimet janë skandaloze dhe kandidatët të paracaktuar.

“Bashkia e Durrësit bën testime skandaloze për vendet e lira. Testimet bëhen me qëllim me çelësin e zgjidhjeve gabim. Të gjitha testet janë me zhgaravina në mënyrë që të mos jetë e qartë përgjigjja. Printimet e testeve bëhen një faqe e mbarë, një faqe mbrapsht…Përfundimi…. fiton kandidati i alokuar te kafja”,– thotë ajo.

Çuni, e cila ka përfunduar master shkencor për Shkenca Administrimi dhe aktualisht punon si menaxhere shitjesh, shprehet se konkursi me shkrim ishte me alternativa dhe përgjigjja e saktë mund të ishte jo vetëm njëra, por dy apo tre alternativa.

“Unë jam e gatshme të testohem për njohuritë për këto pozicione vakante me secilin prej fituesve nëse do kishte një juri të denjë. Të paktën unë jam në paqe me veten time, duke e ditur që ata nuk ma morën vendin me zotësi”,- thotë ajo më tej në denoncimin e saj.

Drita Çuni deklaron se do ta ndjekë edhe ligjërisht këtë çështje, duke bërë ankesën në organet përkatëse. Ajo pretendon se konkursi duhet të shpallet i pavlefshëm, sepse “çelësin e përgjigjeve të pyetjeve e ka gabim”.

Sipas saj, “Kur bashkia nuk di t’i vlerësojë njerëzit, do vazhdojë të lëshojë shkresa me gabime drejtshkrimore dhe me cikla byrekësh me gjizë!”.

Pak ditë më parë, një përgjigje me shkrim e bashkisë Durrës, e cila ishte plot gabime drejtshkrimore, bëri xhiron e rrjeteve sociale.