Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte paketën antikrizë. Kreu i qeverisë u shpreh se do të rritet paga minimale nga 32 mijë lekë në 34 mijë lekë.
“Ndërhyrja tjetër do të jetë rritja edhe një herë po brenda këtij viti e pagës minimale. E rrisim në 34 mijë lekë. Nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 34 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë bëri me dije ndër të tjera se do të riindeksohen pensionet. Riindeksiim do të ketë edhe për ndihmën ndaj personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu do të rritet me 10% ndihma ekonomike. Për nënat kryefamiljare me dy fëmijë, kreu i qeverisë tha se do të dyfishohet ndihma ekonomike. Rritje të pagave kreu i qeverisë tha se do të ketë edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për Policinë e burgjeve.






