Dy grupe të mëdha të trafikimit të drogës në Europë janë shkatërruar.
Operacioni gjigand është zhvilluar nga Garda Civile në bashkëpunim me Karabinierët dhe Guardia di Finanza me mbështetjen e DIA (Direzione Investigativa Antimafia).
Sipas mediave të huaja, ky operacion policor është koduar “Dragon Ball” dhe është kryer në dy faza, më 13 dhe 17 shtator dhe kanë marrë pjesë 400 agjentë të Gardës Civile në Ibiza, Malaga, Barcelona dhe Tenerife.
Njësitë policore kanë ndërhyrë me drone dhe pajisje të sofistikuara, ku gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë zjarri, sasi të mëdha parash dhe dokumente që mund të lidhen me pastrim parash nga veprimtari kriminale.
Siç e përmendëm edhe më lartë, objektivi i këtij operacioni kanë qenë dy organizata kriminale, njëra me origjinë italiane dhe tjetra me origjinë shqiptare, me bazë në ishullin Ibiza dhe me degë në zona të tjera të Spanjës dhe jashtë saj.





