Dy të rinj përfunduan në prangat e policisë në Kavajë, pasi rrëmbyen një vajzë 17-vjeçare dhe e dhunuar atë fizikisht. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në pranga ranë A. D., 23 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të dy banues në Peqin.
Policia thotë se këta dy persona “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, i kanë hequr lirinë një shtetaseje 17 vjeçe, duke e mbajtur në një ambient që aktualisht nuk është në përdorim, si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj saj. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një dorezë metalike (përforcues grushti)”.
Autoritetet mësohet se u vunë në ndjekje të autorëve duke zbuluar ngjarjen e rëndë pasi u njoftuan nga qytetarët.
Njoftimi i plotë
Kavajë
Falë bashkëpunimit me qytetarët dhe ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Ata i hoqën lirinë një shtetaseje dhe ushtruan dhunë ndaj saj.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas marrjes së njoftimit nga qytetarët se dy shtetas i kishin hequr lirinë një shtetaseje, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorëve të dyshuar.
Falë veprimeve profesionale policore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, janë arrestuar në flagrancë, në një kohë rekord, shtetasit:
– A. D., 23 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, të kryera në bashkëpunim;
– A. H., 18 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje”, të kryera në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, i kanë hequr lirinë një shtetaseje 17 vjeçe, duke e mbajtur në një ambient që aktualisht nuk është në përdorim, si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj saj. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një dorezë metalike (përforcues grushti).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.





