Një ndryshim 180 gradë krahasuar me protestën e 24 orëve më parë u vu re mbrëmjen e sotme në Durrës. Një natë më parë të rinjtë hidhnin kapsolla dhe lëshonin lumë sharjesh para policisë, sot u ulën në shesh para tyre, u munduan të shpjegojnë arsyet e protestës, revoltës, zemërimit që i shtyu të shfryheshin me kazanët e mbeturinave dhe djegien e një peme plastike.
Sot u munduan të ishin adoleshentët dhe të rinjtë që çdo kush i ka në shtëpi; herë rebelë, mos kokëçarës, nevrikë, por edhe të ndjeshëm, socialë e surprizues.
Një natë më parë, ata ngjallën reagime të forta kur u përfshinë në aktet e djegies së pemës së Krishtlindjes dhe dëmtimin e dekorit. Kishte nga ata që i quajtën vandalë, halabakë, shkatërrues të qytetit etj.
Sonte ata vendosën t’i surprizonin të gjithë, të tregonin një anë tjetër të protestës që në asnjë qytet tjetër të vendit nuk është bërë përgjatë këtyre 4 ditëve.
Sonte ata u ulën para policëve dhe nisën t’u shpjegojnë arsyet e protestës së tyre.
Sonte ata u ulën para policëve (pavarësisht se një prej tyre ngriti armën dhe vrau bashkëmoshatarin e tyre) dhe treguan me fjalë zemëratën që u trazon shpirtin.
Sonte, pasi u shpjeguan, ata u përqafuan me ta. Si për t’u treguar se pavarësisht furisë së policisë 24 orë më parë për të çuar në komisariat të rinjtë që u dilnin përpara në rrugët kryesore të shtetit, ata dinë ta dallojnë që pas uniformës qëndron një njeri, që mund të jetë edhe prindi, kushëriri, miku apo shoku i ndonjërit prej tyre.
Sonte, të rinjtë pasi u vunë zjarrin kazanëve nisën edhe t’i shuanin, si për të treguar se ashtu siç mund të rrëmbehen nga vrulli rinor, ashtu mund edhe të tërhiqen kur e kuptojnë gabimin.
Në krahasim me një natë më parë, ata sonte mblodhën duartrokitjet dhe komentet pozitive të shumicës dërrmuese në rrjet.
Sonte ata treguan se nëse nuk i ngacmon, nuk i provokon, nuk i shan, nuk ua shkel me këmbë ëndrrat dinë të tregojnë anën e tyre më të mirë.
Sonte ata u përcollën një mesazh të gjithë atyre që nuk dolën në shesh apo dhe atyre që janë kundër protestës së tyre.
Ata janë aty për t’u treguar rebelë, por edhe të arsyetueshëm. Janë aty për të gabuar, por edhe për të rregulluar gabimet. Janë aty sepse u përket e ardhmja dhe duan të dëgjohet edhe zëri i tyre.