Që në ditët e para të tragjedisë së 26 nëntorit, atëherë kur nisën premtimet e para për ndërtimin në një kohë rekord të pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, kryeministri Edi Rama pati deklaruar se pallatet e reja do të rindërtoheshin në të njëjtin vend, me përjashtim të atyre ku janë regjistruar viktima.

Këtë premtim e ripërsëriste edhe me datë 3 tetor, kur shkruante ndër të tjera në një status: “Së shpejti nisin themelet e godinave të reja, në truallin e spastruar dhe të gjithë banorët që do të vijojmë t’u paguajmë  qeratë deri në përfundimin e pallateve që do të marrin në dorë kontratat e apartamenteve, me afate fikse e me gjoba për çdo vonesë nga ana jonë në dorëzimin e tyre”.

Por, sot, më datë 12 dhjetor, ndërsa inspektonte kantierin e ndërtimit të një prej dy pallateve të shembura në Durrës, ku ka nisur rindërtimi, Rama shkruan se vetëm 12 nga pallatet do të ndërtohen në truallin e vjetër, ndërsa të tjerët në lagjen e re që parashikohet të ngrihet në Spitallë.

“Ka nisur puna për rindërtimin e pallateve të shembura, prej të cilëve 12 do të ndërtohen të reja në pikat ku u shembën të vjetrat dhe të tjerat në lagjen e re të Spitallës, me financimin e qeverisë mike të Emirateve të Bashkuara. Në të gjithë bashkinë Durrës janë plot 2084 familje që do të hyjnë në apartamente të reja”,– shkruan kryeministri.

Që nga 26 nëntori e deri tani janë rreth 30 pallate të shembura në Durrës, nga të cilat 18 prej tyre nuk do të rindërtohen në po të njëjtin vend.

M.B.